Shqipëria është çdo ditë një target për sulme kibernetike nga faktorë që lidhen me Iranin. Kjo ishte deklarata e ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi në një konferencë me gazetarët duke thënë se sulmet hibride po monitorohen nga strukturat e sigurisë.
“Shqipëria ka një pozicionim shumë të mirë sa i përket përgatitjes për përballimin e rreziqeve të sulmeve kibernetike. Sot jemi të 6 në rang botëror sa i përket përgatitjes së strukturave. Bashkëpunimi që kemi me SHBA është shumë i lartë, bashkëpunimi i përditshëm që kemi me ata bëjnë që strukturat tona të jenë të gatshme të përballojnë çdo lloj sulmi. Shqipëria është target i sulmeve kibernetike çdo ditë dhe kjo është e theksuar nga faktorë të lidhur me regjimin e Iranit”, tha Nufi.
Nufi u pyet edhe për angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe se kur do të dërgojë trupat. Ai tha se një skuadër është dërguar për të parë vendndodhjen dhe situatën në terren, por nuk dha afat se kur do të nisen forcat tona.
“Në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza. Rripi i Gazës është nën kontrollin e sigurisë së IDF-së dhe çdo lloj dislokimi do të bëhet në koordinim me autoritetet përkatëse. Kemi dërguar një skuadër për të parë nga afër vendndodhjen dhe situatën në terren. Ushtria, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat kanë një nivel të njohur gatishmërie dhe përgatitjeje për një mision në Gaza. Situata paraqet rrezikshmëri të shtuar për shkak të përfshirjes së disa aktorëve, ndërsa Hamasi financohet nga Irani”, tha Nufi.
Në këtë konferencë prezent ishte dhe kreu i Kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve Kayo, Ardi Veliu, i cili në përgjigje të akuzave të opozitës tha se kontratat e kësaj kompanie janë tranparente. Veliu shtoi se prodhimi i dronëve është shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
Ministri u pyet dhe për stërvitjen e përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë ku tha se do të nisin së shpejti. Fillimisht stërvitet do të kryhen në Kroaci dhe në Shqipëri, ndërkohë që pjesmarrës priten të jenë dhe shtete të tjera.





