Tiranë, Shqipëri – Sot, tek Sheshi Italia në Tiranë, u zhvillua për herë të parë në Shqipëri turneu unik i futbollit Red Bull Four 2 Score, duke sjellë spektakël, energji dhe një format krejtësisht ndryshe nga futbolli tradicional.
Tetë skuadra që u kualifikuan nga fazat kualifikuese u përballën mes tyre në një kompeticion intensiv “4 kundër 4”, me porta të vogla, pa portierë dhe pa ndërprerje loje, duke e kthyer çdo ndeshje në një sfidë dinamike ku shpejtësia, reflekset dhe bashkëpunimi në ekip bënin diferencën. Çdo ndeshje zgjaste 10 minuta, duke e bërë lojën edhe më intensive dhe spektakolare për publikun. Një nga elementët më emocionues të formatit ishte edhe “Golden Goal”, rregulli që vendos fituesin në rast barazimi me golin e parë të shënuar.
Pas një dite plot emocione dhe përballjesh spektakolare, finalja e madhe u zhvillua mes skuadrave Shqiponjat dhe Ginga Street, duke kulmuar atmosferën e eventit. Në fund, skuadra GINGA STREET u shpall kampione kombëtare e Red Bull Four 2 Score pasi fitoi 1-0 ndaj Shqiponjave dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Finalen.

Botërore që këtë vit do të zhvillohet për herë të parë në Toronto, Kanada, ku do të përballet me ekipet fituese nga e gjithë bota. Skuadra fituese GINGA STREET përbëhej nga lojtarët: Erald Leci, Jurgen Sina, Mariglen Ademi dhe Xhuljan Reçi.
Red Bull Four 2 Score është një format global që sfidon konceptin klasik të futbollit dhe sjell një eksperiencë të re sportive për të rinjtë. Kampionati ishte i hapur për të gjithë pjesëmarrësit e moshës 18–35 vjeç. Çdo ekip përbëhej nga 4 lojtarë, ndërsa një lojtar i pestë mund të ishte rezervë vetëm në rast dëmtimi gjatë ndeshjeve.
Pjesëmarrësit morën fanellat zyrtare në ditën e eventit dhe konkurruan në një atmosferë elektrizuese, përpara publikut dhe tifozëve që ndoqën nga afër çdo ndeshje.
Me debutimin e tij në Shqipëri, Red Bull Four 2 Score solli një frymë të re për futbollin urban dhe premton të kthehet në një nga eventet sportive më emocionuese për të rinjtë në vend.


/vizionplus.tv





