Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar shqiptarët me ministren e inteligjencës artificiale “Diella”.
Berisha i mbështeti akuzat e tij mbi shkrimin e një eksperti amerikan i cili ka analizuar të dhënat e Diellës dhe pretendon se ajo është bosh dhe nuk ka asnjë qelizë të inteligjencës artificiale.
“Falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale. Zero! Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj”, tha Berisha.
Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama që emëroi Diellën si ministre për inteligjencën artificiale dhe presidentin Begaj që e dekretoi për mashtrim.
“Sikur të kishte minimumin një nanogram moral, Edi Rama pas zbulimit të këtij skandali, duhej të jepte dorëheqjen. Duhej të pasonte pas tij pengu i Edi Ramës, Haram Begaj. Por të lidhur në krim njëri me tjetrin, asnjëri nuk pranon të japë dorëheqjen”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe deklaratat publike të ish-drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karcanaj,
“Mirlinda e AKSHI-t, një nga krerët e organizatës kriminale që Edi Rama e nxori nga arresti i shtëpisë, jo që nuk bëri transparencë, por me qëndrimet e saj bindi çdo njeri se ajo është një hajdute e pamëshirë. Nuk tha asnjë fjalë se ajo hyri në atë apartament të blerë me ndërmjetësim nga famozi Ergys Agasi, përkundrazi ka hyrë në apartament para se të bëjë pagesën 200 metër katrorë”, tha Berisha.
Ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj po hetohet nga SPAK-u për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.





