Rritet me 6 lekë çmimi i naftës, ulet me 2 lekë benzina, Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi këtë të premte, më 30 tetor, në orën 15:00.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i naftës (gazoil) do të pësojë një rritje prej 6 lekësh për litër, duke arritur në 218 lekë/litër nga 212 lekë që ishte një ditë më parë.
Edhe çmimi i shitjes me shumicë të naftës rritet me 6 lekë, nga 200 në 206 lekë/litër.
Ndërkohë, në kahun e kundërt lëviz çmimi i benzinës. Bordi ka vendosur uljen me 2 lekë për litër, duke e çuar çmimin maksimal të shitjes me pakicë në 179 lekë, nga 181 lekë që ishte një ditë më parë. Edhe çmimi me shumicë zbret nga 169 në 167 lekë/litër.
Çmimet e reja do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rishikohen në varësi të ecurisë së tregut.




