Bojkoti përplas mbrojtësit ligjorë, pro dhe kundër vendimit të Dhomës së Avokatisë

Mbi 500 seanca të dështuara është fatura e rregullores represive të GJKKO-së, që pasoi bojkotin e avokatëve.
Ndue Pjetra, kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, që goditi në Administrative vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i tha Vizion Plus se kemi të bëjmë me një masë sigurimi dhe jo vendim themeli.
“Seanca ishte me dhomë këshillimi. Gjykata ka vendosur të heqë bojkotin dhe të vazhdojnë gjyqet në GJKKO. Ka dhënë pezullim, pasi ka fakte dhe prova se bojkoti është vendosur në kundërshtim me ligjin”, tha avokati Pjetra.
Por, nga ana tjetër, bojkoti vazhdon pavarësisht vendimit të Apelit Administrativ. Sipas mbrojtësit ligjor, Gentian Rumano, ata nuk kanë marrë dijeni, sipas rrugëve ligjore, për pezullimin e bojkotit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
“Nuk jam në dijeni. S’kam qenë asnjëherë palë në proces gjyqësor të thirrur nga Gjykata e Apelit Administrativ. Por edhe gjykata, për vendimet e saj, bëhen të ekzekutueshme në momentin që njoftohen palët. Për aq kohë sa unë personalisht dhe Dhoma e Avokatisë nuk kemi një vendim të dytë, padiskutim që bojkoti nuk diskutohet”, tha avokati Rumano.
Avokati Ndue Pjetra pretendon nga ana e tij se vendimi i Dhomës është arbitrar.
“Pezullimi ka vlerë derisa të shqyrtohet çështja, themeli. Veprimet e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë janë të marra në kundërshtim me ligjin dhe për interesa personale, më shumë sesa ato të Dhomës”, tha Pjetra.
Derisa Dhoma të dalë me një vendim, avokati Rumano thotë se do të respektojë bojkotin në Gjykatën e Posaçme.
“Unë vazhdoj të jem në bojkot, domethënë. Jam në zbatim të dy vendimeve të marra nga ana e Këshillit të Përgjithshëm”, tha Rumano.
Rregullorja ndalon përdorimin e celularit, kërkon akreditim të medias dhe ndalon filmimin.




