Ka përfunduar rehabilitimi i hapësirës mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit” në Njësinë 3.
Pas inspektimit të bllokut, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se tani banorët kanë një lagje më të jetueshme.
“Për sa kohë që projekti i ‘100 lagjeve’ po krijon çdo muaj nga një lagje të re, jemi shumë pranë momentit kur mund të themi se Tirana është urbanizuar e gjitha, sidomos lagjet me ndërtimet e vjetra të kohës së komunizmit”, tha Erion Veliaj.
Tani që lagjja është e pajisur me infrastrukturën e duhur, Veliaj tha se ka nevojë edhe për rehabilitimin e pallateve të vjetra.
“Pjesa më e madhe e pallateve janë pallate të vjetra, të kohës së komunizmit, që kanë nevojë për një veshje kapotë. Ne i kemi hapur thirrjet gjatë gjithë vitit, por me buxhetin e ri do të kemi mundësi të bëjmë edhe 200 pallate të tjera”, tha Veliaj.
Teksa e konsideroi kryeqytetin një kantier investimesh, Veliaj nënvizoi se buxheti i vitit 2025 do të jetë jo vetëm më i madhi, por më transformuesi i Bashkisë së Tiranës.







