Këtë javë banka e Shqipërisë miratoi disa kritere të reja që në thelb e bëjnë pak më të vështirë marrjen e një kredie konsumatore nga institucionet jo bankare. Institucioni më i lartë monetarë, thotë se rregullat e reja nuk cenojnë tregun dhe nuk e bëjnë produktin e kredisë konsumatore të vështirë për tu marrë.
Jonida Kaçani nga departamenti i mbikëqyrjes bankare, në bankën e Shqipërisë gjatë një interviste për emisionin E-ZONE foli mbi efektet që pritet të kenë në treg rregullat e reja.
“Ne synojmë që të jepen kredi më të përgjegjshme dhe më të shëndetshme. Ne nuk mendojmë se kredia konsumatore do të bëhet e vështirë apo e pamundur. Fokusi është që të marrë kredi ai që ka mundësi pagese dhe për të shmangur çdo plagë të mundshme sociale që sjell mospagesa e huasë”, tha Kaçani në Vizion Plus
Sipas bankës qendrore fokusi është mbrojtja e konsumatorit nga ekspozimi i kredive. Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve, banka duket se do të frenojë dhe fushatat e marketingut, nëse përmbajtja e tyre synon “peshkimin” me kosto jo transparente për klientin
Kjo masë ende nuk e ka marrë miratimin nga këshilli mbikëqyrës. Ne synojmë që fushatat e marketingut, nëse përmbajtja e tyre është jo transparente banka do të ndërhyjë për t’i anuluar dhe të penalizojë kompanitë
Por a mund të themi se me rregullat e reja nuk do të ketë më kredi vetëm në pak minuta?
“Rregullat e reja ofrojnë një analizë më të detajuar të aftësive financiare të kredimarrësit. Kjo analizë do të kërkojë kohë dhe nuk mund të bëhet në pak minuta. Ndërkohë kemi përcaktuar që këstet mujore nuk do të jenë më shumë se 60% të të ardhurave neto të individit që merr kredi, duke marrë në konsideratë edhe nëse ka dy kredi njëherësh”, sqaroi Kaçani në E-ZONE
Kriteret e reja parashikojnë të hyjnë në fuqi në janar 2025. Paralelisht priten edhe ndryshime të tjera, siç janë rishikimi i normave të interesit të cilat do të miratohen brenda vitit. /Vizionplus.tv/





