Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Sibuel Durrësi, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 7 qershor 2026, kur pas një konflikti dhe nën efektin e alkoolit, i dyshuari ka tentuar të përplasë me automjet disa persona, duke u rrezikuar jetën.
Fillimisht, rasti ishte raportuar nga shërbimet e policisë si një ngjarje aksidentale. Megjithatë, hetimet e mëtejshme dhe analizimi i provave kanë ngritur dyshime të forta se bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm.
Sipas Prokurorisë, publikimi në media i një videoje të ngjarjes, e bërë publike së fundmi, ka shërbyer si një element i rëndësishëm në riinterpretimin e rrethanave të rastit dhe në thellimin e hetimeve.
Në vijim të veprimeve procedurale, prokurori i çështjes ka urdhëruar ndalimin e Sibuel Durrësit si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
/vizionplus.tv





