Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule e cilëson arrestimin e kryetarit në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, një lëvizje të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Goro është viktimë politike e lojës së kryeministrit.
“Të gjitha lëvizjet janë të orkestruara nga dirigjenti i vetëm në Himarë Edi Rama. Sigurisht që ka shumë viktima në radhët e PS të qeverisë, por edhe të pushtetit vendor të cilët janë zgjedhur me PS që verbërisht zbatojnë urdhrat e Ramës dhe janë ata që mbajnë barrën e përgjegjësisë ligjore sepse ne kemi një kryeministër që është tërësisht i papërgjegjshëm”, tha Dule.
Arrestimi i Jorgo Goros, shtoi Vangjel Dule, nuk mund të qetësojë Athinën zyrtare, e cila ka kritikuar ashpër qeverinë dhe drejtësinë shqiptare për çështjen e Fredi Belerit.
“Nuk mund të qetësohet askush pa i shkuar të drejtës deri në fund. Është tërësisht në drejtimin e gabuar Rama nëse mendon se mund të krijojë iluzione dhe të fshihet pas gishtit të tij në lidhje me përgjegjësitë që janë tërësisht mbi të në lidhje me çështjet e pronave në zonët e bregut të Jonit”, u shpreh Dule.
Këto deklarata kryetari i PBDNJ i bëri nga Korça në aktivitetet e zhvilluara në nder të festës kombëtare greke. Arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës nga prokuroria e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat e vendit fqinj. /vizionplus.tv





