Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur në burgun e Peqinit, ku një i burgosur mbeti i vdekur pas një përplasjeje mes tre të dënuarve.
VizionPlus.tv mëson se ngjarja ka ndodhur pasi të burgosurit kanë hyrë nga ajrimi në kuzhinë për të konsumuar drekën.
Lexo edhe :
Related Posts
Mësohet se Mjacaj ka qëlluar me armë në drejtim të Xhakjas dhe Lleshit duke lënë të vdekur pikërisht këtë të fundit.
Mjacaj do të dërgohej në regjimin e burgut “41bis” sot dhe duket se kjo ka ndikuar edhe në konfliktin mes tyre, megjithatë ngjarja sapo ka ndodhur dhe gjatë orëve në vijim Vizionplus.tv do të zbardhë dinamikën e saj përmes informacioneve të konfirmuara.
Nuk dihet ende se si e ka siguruar Sokol Mjacaj armën, me të cilën ka qëlluar në drejtim të Lleshit, por paraprakisht dyshohet se pistoleta është futur me dron në ambientet e burgut.
Në një reagim të mëvonshëm, Drejtoria e Burgjeve deklaroi se situata është nën kontroll në Burgun e Peqinit pavarësisht përleshjes mes të burgosurve që solli edhe një vdekje. Mësohet se burgu është mbushur me forca të FNSH dhe RENEA për të rivendosur rendin atje.
Kush është Sokol Mjacaj
Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2015, pas ngjarjes së rëndë kriminale, ku vrau dy turistë çekë gjatë një grabitjeje me armë zjarri.
Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre.
Kush është Ilir Xhakja
Ilir Xhakja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Adem Tahiraj në Shijak.
Dënime të tjera
– në vitin 1995 është dënuar me 1 vit burgim për plagosjen e shtetasit Dashamir L.
– në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentian Petrit Gjoka dhe Petrit Lyti.
-në vitin 1996 është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje serioze për jetën ndaj shtetasit Ylli M.
– më datë 15.05.2002, ka filluar procedimi për vrasje në territorin e Komunës Katund i ri Durrës.
-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.
Shtetasi Ilir Xhakja është arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit më datë 06.07.2007, por më pas u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.
Kush është Arben Lleshi
Arben Lleshi ishte dënuar me 32 vite burg në shkurt të 2013 pasi u akuzuar për vrasjen e bashkëkombësit të tij Agim Hoxha në Sauthempton.
Ngjarja ndodhi më 10 prill 2012 kur Arben Lleshi asokohe 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën, asokohe 29 vjeç në Sauthempton të Anglisë. /vizionplus.tv











