Një 55-vjeçar shqiptar ra pre e një atentati në orët e para të mëngjesit të sotëm në Athinë.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 04:30, poshtë shtëpisë së tij. Sipas informacioneve paraprake, dy persona që lëviznin me motor hapën zjarr ndaj 55-vjeçarit.
Fatmirësisht plumbat e kapën në këmbë dhe ai u transportua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pamjet e publikuara nga mediat greke tregojnë 55-vjeçarin të shtrirë në rrugë, ndërsa banorët e zonës i japin ndihmën e parë. Pak më vonë në vendngjarje mbërriti edhe një patrullë e Policisë Greke. Autorët u larguan në drejtim të panjohur, ndërsa policia gjeti tre gëzhoja në vendin e ngjarjes.
Çfarë deklaroi 55-vjeçari
I plagosuri u ka thënë hetuesve se autorët tentuan t’i vidhnin motorin dhe se e qëlluan pasi ai u kundërpërgjigj.
Megjithatë, policia po vijon hetimet lidhur me versionin e dhënë nga shqiptari.
Në kuadër të hetimeve, në vendngjarje është thirrur edhe grupi kriminalistik për të kërkuar gjurmë gishtash në motor, pasi 55-vjeçari pretendon se autorët e kanë prekur me duar.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu faktin se vetëm pak ditë më parë ishte raportuar një tjetër incident me të shtëna në të njëjtën zonë.
Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari dhe familjarët e tij nuk kanë precedent penal. Pavarësisht kësaj, autoritetet po hetojnë nëse tentativa për grabitjen e motorit ishte vërtet motivi i sulmit apo nëse pas të shtënave fshihet një tjetër shkak.





