Situata e zjarrit në fshatin Rriban të Mallakastrës vijon të jetë kritike, ndërsa flakët po përhapen në disa vatra të reja. Për gjendjen e krijuar folën deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj, dhe kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, të cilët u ndalën te përmasat e zjarrit, angazhimi i forcave në terren dhe masat për mbrojtjen e banorëve.
Deputeti Klevis Jahaj deklaroi se situata mbetet e rëndë dhe se përballimi i zjarrit ka angazhuar forca të shumta nga disa zona.
“Ka qenë një ditë e gjatë sot për të gjitha forcat, jo vetëm ato të Bashkisë Mallakastër. Në ndihmë kanë ardhur forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit jo vetëm nga qarku, por edhe nga Berati e Cërriku. Për përforcim ka ardhur edhe avioni, por situata vijon të jetë e rëndë. Kemi vatra të reja që po përhapen. Është e vështirë ndërhyrja, por gjatë natës era pritet të ulet dhe të mos favorizojë përhapjen e flakëve”, tha Jahaj.
Ai shtoi se forcat do të vijojnë të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës dhe u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe vigjilencë.
Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, theksoi vështirësitë e ndërhyrjes për shkak të terrenit dhe kushteve atmosferike.
“Është një terren shumë i vështirë për të ndërhyrë me mjete tokësore. Gjithashtu, era e fortë e ka bërë të pamundur izolimin e flakëve”, u shpreh Ismailaj.





