Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas raportimeve për një përplasje të mundshme me kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së socialistëve ditën e djeshme, duke i cilësuar lajmet si pjesë të një fushate linçimi politik.
“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emri i një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është ‘vrasje me pagesë’ në politikë”, u shpreh Braçe.
Ai tha se kishte kërkuar që diskutimet e mbledhjes të mos dilnin jashtë, por kjo nuk ndodhi. “Dje para se të nisja të flisja, u kërkova kolegëve të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do flisja aty. Ja që ndodhi kjo që lexova, madje edhe e transformuar”, deklaroi deputeti.
Braçe u shpreh se pret të zbatohet angazhimi për ndëshkimin e personave që nxjerrin diskutimet e brendshme të partisë. “Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht atë tjetrin atje matanë, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembulli”, tha ai.
Duke folur për largimin e tij nga mbledhja, Braçe mohoi se ishte nxjerrë jashtë apo përjashtuar. “Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë, jam ulur sepse nuk kam pasur çfarë të them më… Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam pasur më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, përfundoi ai.
/vizionplus.tv





