Ministria iraniane e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 38 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 400 janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore amerikane në Iran, që nga 22 qershori.
Zëdhënësi i ministrisë, Hossein Kermanpour, bëri të ditur përmes rrjetit social X se mes viktimave janë tre gra dhe një i mitur. Bilanci është përditësuar deri në orët e para të mëngjesit sipas kohës lokale.
Ndërkohë, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se shtatë persona të tjerë u vranë nga sulmet amerikane ndaj urave në qytetin-port Bandar Hamir, në jug të Iranit, duke cituar Universitetin e Shkencave Mjekësore të Hormozganit.
Në zhvillimet diplomatike, ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Pakistanit kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe rikthimin në dialog. Gjatë një takimi në Shangai, Wang Yi dhe Ishaq Dar shprehën shqetësimin për përkeqësimin e situatës dhe u kërkuan Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të rifillojnë bisedimet për të ulur tensionet.
/vizionplus.tv





