Qytetarët prej 47 ditësh po protestojnë para Kryeministrisë kundër projektit të Zvërnecit dhe kundër qeverisë.
Aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, tha se e sheh këtë ngritje të popullit si një nga tubimet më të rëndësishme që prej viteve ’90-’91.
Ajo tha se një nga fitoret kryesore të protestës është se ka vendosur klasën politike përballë një përgjegjësie të re për të dëgjuar më shumë zërin e qytetarëve.
Çepani theksoi se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar dhe se protesta ka arritur ta çojë diskutimin për çështjet lokale edhe në nivel ndërkombëtar.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Sa ka arritur të trondisë qeverinë?
Çepani: Është një nga protestat më të rëndësishme që prej viteve ’90-’91. Ka arritur shumë fitore që në ditët e para, ka bërë shumë hapa para, ka kthyer edhe komplet faqen e popullit shqiptar, që ne se kishim parë më parë. E para fitore e kësaj proteste është se vuri klasën aktuale politike me një përgjegjësi të re, për të dëgjuar më shumë popullin. Populli po i thotë “stop” vendimmarrjes, dhënies së territoreve. Qeveria, mazhoranca apo edhe klasa politike nuk po dëgjon mjaftueshëm zërin e qytetarëve. Ne këta njerëz po i paguajmë me taksat tona, jemi punëdhënësit realë. Janë një sërë problematikash, qytetarët nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar. Një nga arritjet e protestës është që çështjet lokale janë çuar deri në nivel ndërkombëtar. Bashkimi i gjithë qytetarëve është një nga arritjet më të mëdha që e kemi parë shumë rrallë, janë për një kauzë të përbashkët.
/vizionplus.tv





