Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër arritje në procesin e integrimit europian, duke mbyllur provizorisht tre kapituj të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian: Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Vendimi pritet të formalizohet gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian që zhvillohet në Bruksel, pas miratimit më 10 korrik nga COREPER të Pozicionit të Përbashkët të BE-së për mbylljen provizore të këtyre tre kapitujve.
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar këtë ditë si një moment të veçantë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Sot është një Super e Martë për zgjerimin e BE-së. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbajmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë”, tha Kos.
Today is a Super Tuesday for EU enlargement.
For the first time in over 2 decades, we are holding four accession conferences on the same day.
Our four front runners Ukraine, Moldova, Albania and Montenegro are all taking major steps forward.
With Ukraine and Moldova, we are… pic.twitter.com/piUZLMuCYc
— Marta Kos (@MartaKosEU) July 14, 2026
Ajo theksoi se katër vendet kryesuese në procesin e zgjerimit, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, po hedhin hapa të rëndësishëm përpara.
“Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë”, u shpreh Komisionerja europiane, ndërsa vlerësoi gjithashtu përparimin e Ukrainës dhe Moldavisë me hapjen e Klasterit 6, si dhe avancimin e Malit të Zi drejt përfundimit të negociatave.
Kos nënvizoi se momenti i sotëm duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në terren.
“Ky vrull duhet të kthehet tani në rezultate dhe zbatim konkret”, deklaroi ajo.
Mbyllja e tre kapitujve përbën një tjetër hap të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian./vizionplus.tv





