Një sulm virtual me përmasa të mëdha ndaj bizneseve shqiptare është zbuluar nga Policia e Shtetit. Mbi 10 mijë llogari dhe faqe me aktivitet të dyshimtë janë identifikuar si pjesë e një skeme që dyshohet se po përdoret për të publikuar masivisht komente dhe vlerësime negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike, me synim dëmtimin e reputacionit të tyre dhe goditjen e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik. Alarmin e dha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili deklaroi se strukturat e hetimit të krimit kibernetik kanë nisur hetimet për verifikimin e platformave online. Hetimet paraprake tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre llogarive janë krijuar rishtazi dhe janë përdorur për këtë qëllim për të cilat kanë nisur veprimet hetimore.
“Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare. Nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit”, tha Hita.
Autoritetet kanë konstatuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar komente negative për biznese që ndodhen në qytete të ndryshme të vendit, komente që janë bërë brenda një intervali shumë të shkurtër kohor. Sinkronizimi i postimeve dhe ngjashmëria e përmbajtjes po hetohen pasi tregojnë se kemi të bëjmë një sulm të organizuar.
“Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën. Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar. Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik”, theksoi Hita.
Hita shton se është urdhëruar intensifikimi i hetimeve për identifikimin e autorëve që fshihen pas sulmeve virtuale të orkestruara.
“Në këtë kuadër, kam urdhëruar strukturat e specializuara, veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Kibernetik, që të vijojnë me intensitet të lartë veprimet procedurale për identifikimin e autorëve dhe personave që qendrojnë pas kësaj veprimtarie, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive, evidentimin e mënyrës së organizimit, sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale, si dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Hita.
Policia u bëri thirrje të gjitha bizneseve që kanë konstatuar sulme të ngjashme me komente apo vlerësime të rreme ti kallëzojnë rastet pranë Policisë së Shtetit.





