Një javë nga zbardhja e vendimit të Kushtetueses që e detyron Gjykatën e Lartë të rigjykojë masën e sigurisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, mbrojtja e tij kërkon që të përshpejtohet marrja e këtij verdikti.
Kjo kërkesë nuk është arbitrare, thotë avokati Plarent Ndreca, por bazohet në faktin se Veliajt i cënohet e drejta për të ushtruar detyrën për të cilën është votëbesuar.
“Kërkesa mbështetet në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës. Z. Erion Veliaj e ka marrë zyrtarisht mandatin e tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës në qershor 2023. Ky mandat përfundon në qershor 2027. Në momentin e paraqitjes së kësaj kërkese, ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit dhe mbetet më pak se një vit deri në përfundimin e tij”, tha mbrojtja e Erion Veliajt.
Çdo vonesë në shqyrtimin e masës shtrënguese arrest në burg do të konsumojë edhe më kohën e mandatit thuhet në deklaratë, duke e bërë atë të pakthyeshme.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka kthyer çështjen për një verifikim formal të arsyetimit të mëparshëm. Ai ka identifikuar mungesë kontrolli efektiv nga Gjykata e Lartë mbi pretendime që prekin substancën e lirisë personale, proporcionalitetin e masës ‘arrest në burg’, efektin e saj mbi mandatin e zgjedhur, dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe mbrojtjen efektive. Kjo do të thotë se rishqyrtimi duhet të jetë real, aktual dhe i lidhur me gjendjen juridike e faktike në momentin kur Gjykata e Lartë vendos”, shtoi mbrojtja.
Erion Veliaj mbahet në paraburgimin e Durrësit prej 10 shkurtit të një viti më parë. Ai dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në 13 episode. Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim me gruan e tij, Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë ai ka shfryëzuar postin e kryetarit të bashkisë më të madhe në vend për të alokuar fonde për të përfituar vetë.





