Në Tiranë është prezantuar projekti i spitalit të ri “Health Hub Hospital” (HHH), një investim i Grupit San Donato, një prej grupeve më të mëdha spitalore në Europë. Projekti synon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion të ri shëndetësor për Ballkanin Perëndimor, duke ofruar shërbime mjekësore të avancuara dhe trajtime për raste të ndërlikuara.
Gjatë prezantimit, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë projekt një hap të rëndësishëm për transformimin e sistemit shëndetësor në vend. Ai tha se spitali i ri do të krijojë mundësi për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe do të sjellë një model të ri të ekselencës europiane në shëndetësi.
Sipas Ramës, HHH nuk do të jetë vetëm një qendër për trajtimin e pacientëve, por edhe një hapësirë zhvillimi për mjekët dhe infermierët shqiptarë, duke u krijuar atyre mundësi të punojnë në kushte dhe standarde më të afërta me ato europiane.
Punimet për ndërtimin e spitalit pritet të përfundojnë në fund të vjeshtës së vitit 2028. Projekti vjen si rezultat i bashkëpunimit italo-shqiptar dhe synon të forcojë rolin e Tiranës si një qendër rajonale për shërbimet shëndetësore.
“Ndërtimi i një spitali ekselence italiane këtu në Tiranë, për t’i dhënë mundësi të tjera atyre që kërkojnë mundësi të tjera në Itali dhe Turqi. Ky spital ekselence do të kurojë edhe sëmundjet e komplikuara. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e grupit që është kujdesur për projektin. Jam i sigurt që punimet do të jenë të përsosura. Kemi caktuar me inxhinierin një datë. Gjithçka mund të jetë gati në fund të vjeshtës 2028. Ky është një parashikim italo-shqiptar, pa shtysën arabe që mund t’i bëjë gjërat më shpejt. Marrëdhëniet italo-shqiptare kanë qenë gjithnjë të përsosura dhe nuk janë ndikuar nga çështjet politike. Këtu dua të falënderoj ambasadorin.”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se investime të tilla janë pjesë e përpjekjeve për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore dhe garantimin e një cilësie më të lartë shërbimi për qytetarët shqiptarë.
“Kemi bërë goxha punë për të rindërtuar, për të hapur realitete të reja me standarde të reja në sistemin tonë shëndetësor. Kemi bërë shumë për të kaluar nga një sistem që ishte një dështim i madh, në një sistem që ka nisur të rrugëtojë drejt asaj që është me legjitimitet të plotë ambicia e qytetarëve shqiptarë. Por kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar cilësi shërbimi. “Do të jetë një spital ku ekselenca krijon kushte për mjekë e infermierë të rinj shqiptarë të shërbejnë në një realitet me nivele më të mira europiane”, tha kryeministri.
/vizionplus.tv





