Shpërthime të forta kanë tronditur këtë të martë kryeqytetin sirian, Damaskun, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron ndodhej në një vizitë zyrtare në vend. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, zhurmat u dëgjuan pranë zonës ku ishte akomoduar kreu i shtetit francez. Dëshmitarët thanë se panë shtëllunga të dendura tymi pranë hotelit ku Macron kishte kaluar natën.
Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Autoritetet siriane nuk kanë konfirmuar nëse ka viktima apo të plagosur, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave janë në zhvillim.
Pas incidentit, forcat e sigurisë bllokuan rrugët përreth dhe shtuan masat e mbrojtjes në zonë. Ndërkohë, Pallati Elize bëri me dije se presidenti Macron është i sigurt, pasi kishte lënë hotelin që në orët e para të mëngjesit për të zhvilluar takimet e planifikuara në pallatin presidencial.
Vizita e presidentit francez konsiderohet një moment historik për marrëdhëniet mes Evropës dhe Sirisë. Ky është udhëtimi i parë i një lideri të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian në Siri që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në vitin 2024 dhe ardhja në pushtet e presidentit Ahmed Sharaa.
Deri më tani, autoritetet siriane nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi natyrën e shpërthimeve, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm apo një incident të një natyre tjetër.
/vizionplus.tv





