Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka hapur procedurën e konkurrimit për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të tre departamenteve kryesore të institucionit, bën me dije gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj në “Live në Mëngjes”.
Konkursi përfshin Departamentin e Policisë Kriminale, Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. Ndërkohë, Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike nuk është pjesë e këtij procesi, pasi drejtuesi i tij është zgjedhur rreth një vit më parë sipas procedurave të parashikuara në ligjin aktual.
Afati për dorëzimin e dokumentacionit është 13 korriku. Pas verifikimit të dosjeve, kandidatët që plotësojnë kriteret do t’i nënshtrohen intervistimit nga një komision i posaçëm me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në garë mund të marrin pjesë vetëm punonjës të Policisë së Shtetit që mbajnë gradën “Drejtues i Lartë” dhe plotësojnë kushtet ligjore.
Procesi i përzgjedhjes mund të ndikohet edhe nga ndryshimet e propozuara në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat po shqyrtohen në Kuvend. Nëse miratohen, emërimi i drejtuesve të departamenteve mund të bëhet pa konkurs, drejtpërdrejt nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Aktualisht, këto pozicione kanë mandat katërvjeçar, ndërsa mandati i disa prej drejtuesve aktualë ka përfunduar.
/vizionplus.tv





