Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kreu të mërkurën (1 korrik) fluturimin e parë me avionin e ri presidencial Air Force One, një Boeing luksoz i dhuruar nga Katari, i cili ka shkaktuar reagime të forta për çështje ligjore, etike dhe të sigurisë kombëtare.
Pak para nisjes drejt Dakotës së Veriut, ku mori pjesë në aktivitetet për përkujtimin e 250-vjetorit të Amerikës, Trump shprehu entuziazmin e tij për avionin e ri, duke e cilësuar atë një mjet ajror unik.
“Jam shumë i emocionuar për fluturimin e parë. Nuk ka pasur kurrë një avion tjetër si ky. Sinqerisht, ne nuk do të mund të ndërtonim një avion të tillë, sepse nuk do të kishim fondet e nevojshme. Katarasit kanë shpenzuar shuma të mëdha parash”, deklaroi Trump.
Avioni, vlera e të cilit vlerësohet rreth 400 milionë dollarë, iu dorëzua si dhuratë Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagonit) dhe do të përdoret nga Trump derisa të përfundojë ndërtimi i avionëve të rinj presidencialë nga kompania Boeing, proces që pritet të zgjasë rreth dy vite.





