Düsseldorf/Bochum – Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (Nordrhein-Westfalen – NRW), në Republikën Federale të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Ruhr Summit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Europë kushtuar inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë.
Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me Kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst.
Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe njërit prej rajoneve më të fuqishme ekonomike e industriale të Gjermanisë, me fokus zgjerimin e investimeve, zhvillimin e teknologjisë digjitale, arsimin profesional, si edhe mbështetjen për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Vizita synon të thellojë marrëdhëniet ekonomike dhe institucionale mes Shqipërisë dhe Nordrhein-Westfalen, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në sektorë strategjikë dhe duke forcuar partneritetin me një nga motorët ekonomikë të Gjermanisë.
Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalë në panelin kryesor të Ruhr Summit, me temë “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”, ku do të trajtojë ndikimin e inteligjencës artificiale në transformimin e ekonomive, institucioneve dhe modeleve të qeverisjes.
Më pas, ai do të jetë pjesë e diskutimit “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, së bashku me përfaqësues të njohur të sektorit të teknologjisë, biznesit dhe konsulencës ndërkombëtare. Diskutimi do të fokusohet në balancimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale me nevojën për rregullim, etikë dhe përgjegjësi, si një nga sfidat kryesore të epokës digjitale.





