Kryeministri Edi Rama ishte sot në Pashaliman, ku u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes kompanisë italiane FINCANTIERI, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se investimet e huaja strategjike po krijojnë mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi profesional për shqiptarët, duke kundërshtuar kritikat se ato dëmtojnë tregun vendas të punës.
Shefi i qeverisë theksoi se projektet e mëdha synojnë të punësojnë dhe kualifikojnë qytetarët shqiptarë, duke ofruar vende pune të mirëpaguara dhe perspektivë afatgjatë për karrierë.
Rama: Këto investime të mëdha që vijnë janë investime që kanë edhe këtë komponent shumë të rëndësishëm. Të gjithë atyre që flasin në hava për investitorët e huaj, investimet e huaja, që i marrin punën shqiptarëve, do t’u them që e vërteta është e kundërt. Këto investime vijnë në radhë të parë për shqiptarët, për të gjithë ata që duan punë dhe përmes punës të rriten e të ngjisin shkallët e një karriere profesionale. Kjo është e vërtetë për këtë investim dhe për të gjitha investimet në turizëm, se nuk dua t’i shmangem pamjes së jashtëzakonshme të gjirit të Vlorës pa e përmendur edhe faktin që investimi për të cilin bëhet një diskutim marramendës dhe absurd sjell, jo 500 si këtu, por 10.000 mundësi të reja vendesh pune dhe natyrisht sjell 10.000 mundësi të reja vendesh pune për në radhë të parë djemtë dhe vajzat e kësaj zone dhe pastaj djemtë dhe vajzat nga gjithë Shqipëria që do të duan të bëhen pjesë. Dhe nuk sjell vende pune të keqpaguara, nuk sjell vende pune për të shfrytëzuar koston e ulët të krahut të punës, por sjell vende pune për njerëz të kualifikuar.





