Protesta e qytetarëve që vazhdon prej një muaji dominoi diskutimet edhe brenda sallës së parlamentit. Socialistët rrëzuan kërkesat e Partisë Demokratike që parlamenti të zhvillojë debate të posaçme vetëm për kërkesat e protestuesve dhe kërkesën për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për protestën.
“Zoti Kryetar, a ju ka thënë ndonjëherë Edi Rama “fuck you”? Ju mund të thoni ”Jo” dhe të mbroni të pambrojtshmen. Por ne e dimë që e ka bërë. Ua tha protestuesve para gjithë botës, duke turpëruar Shqipërinë në median ndërkombëtare. E cila edhe ajo, si protestuesit dhe opozita, e sheh Edi Ramën në rolin e një kumbari mafioz. Por, zoti Kryetar, kolegë të Partisë Socialiste, sot po jua thotë edhe juve.
Jo me fjalë. Me veprime. Sepse çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të përmbushur një detyrim kushtetues? Çfarë kuptimi tjetër ka refuzimi për të ardhur në Kuvend dhe për të dhënë llogari”, tha Gazment Bardhi.
“Juve protesta ju mundi, ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush. E di si thoshte njëri tek porta tani, kur po hynit ju, ne na shajnë me libër shtëpie, nuk kam asnjë problem. Juve ju thonin opozitë e shitur. Dini gjë pse ua thonë këtë fjalë? Dhe çdo ditë në atë protestë po thyen kockat e mbetura nga ajo që dikur quhej Partia Demokratike”, tha Taulant Balla.
Taulant Balla përsëriti qëndrimin e mazhorancës se në protestë ka aktorë të huaj të cilët janë kundër Shqipërisë.
“Në këtë protestë u përfshinë dhe vazhdojnë të jenë të përfshirë aktorë shtetërorë malinjë të Shqipërisë së bashku me media, organizata dhe interesat huaja. Në fushatën online morën pjesë mijëra mercenarë, dixhitalë, të nxitur nga interesat huaja dhe konkurrentë të Shqipërisë në turizëm”, tha Balla.
Ndërkohë që opozita shfrytëzoi debatin parlamentar për të mbështetur 5 kërkesat e protestuesve, vecanërisht kërkesën e parë të tyre, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Vetëm në Shqipëri kemi një Kryeministër që pas trembëdhjetë vitesh në pushtet u thotë qytetarëve në anglisht, para gjithë botës: “Fuck you”. Kemi një Kryeministër që e konsideron Parlamentin noter të akteve të tij dhe mburojë për korrupsionin e qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dhe është pikërisht kjo arsyeja pse qytetarët janë në protestë dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramën”, tha Bardhi.
Protestuesit kanë shpallut 5 kërkesa kryesore; dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12 mujor, ndryshimin e Kushtetutes, Kodit Zgjedhor, ligjit “Për financimin e Partive Politike. Ata kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e ligjit “Për Investimet Strategjike” dhe “paketës së Maleve” si dhe anullimin e ndryshimeve në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura” dhe ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore.





