Pashaliman, Vlorë – Kryeministri Edi Rama ishte sot në Pashaliman, ku u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes kompanisë italiane FINCANTIERI, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ky është “një hap që hap një fazë të re” për industrinë ushtarake dhe detare në vend, duke theksuar rëndësinë e investimeve në trajnime dhe kualifikim profesional.
Sipas tij, partneriteti me Fincantieri sjell rreth 500 vende pune dhe krijon mundësi që nxënësit shqiptarë të trajnohen edhe në kantieret e kompanisë në Itali, duke u përgatitur nga mjeshtrit e industrisë. Marrëveshja shihet si pjesë e zgjerimit të kapaciteteve të industrisë detare dhe ushtarake në Shqipëri.
Rama: Jemi këtu me një kolos të industrisë lokale të anijeve, Fincantieri për të nënshkruar një marrëveshje mes Fincantierit, Kayo-s dhe shkollës industriale, një marrëveshje e cila hap një fazë të re. Ne jemi sot në një ditë kur pas këtij takimi, qeveria shqiptare do të miratojë një akt normativ ku ndër të tjera Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur targetin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, që e çon në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shetit shpenzimin tonë për mbrojtjen, ku përfituesit janë të gjithë ata të cilët janë pjesë e strukturës sonë së ministrisë së Mbrojtjes, Forcave të Armatosura por edhe të gjithë ata të cilët do t’i bashkohen hap pas hapi kësaj rritjeje të jashtëzakonshme të kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe sigurisë.
Sot jemi në një fazë krejt të re ku industria ushtarake po rilind hap pas hapi dhe marrëveshja me Fincantierin nuk është as e para as e fundit që po firmosen për t’i dhënë industrisë ushtarake të gjithë komponentët e vet. Janë 500 vende pune që krijohen nga ky partneritet dhe janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar, janë 500 vende të mirëpaguara. Kompania Fincantieri do të organizojë programin e vet të trajnimeve në burim, pra nxënësit e shkollës sipas programit dhe përzgjedhjes do të shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe aty do të punojnë me mjeshtrat që ka kompania.





