Pavarësisht protestave, qeveria i qëndron idesë për të investuar në Zvërnec. Edhe pse ende nuk ka një plan konkret, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj thotë se nga një analizë paraprake, përfitimet e vendit nga investime të tilla janë të shumta.
“Ende nuk kemi një projekt të dorëzuar, të finalizuar për zonën e Zvërnecit. Është duke u punuar nga arkitektë, nga ekspertë mjedisorë, nga arkitektë të peisazhit që të kemi një projekt që do të përmbushë standardet e BE përsa i përket mjedisit. Unë mendoj që nuk janë vetëm shifrat ekonomike të lidhura direkte me projektin, por duhet mbajtur parasysh edhe ndikimi në investime të tjera të huaja që mund të tërhiqen në të ardhmen në Shqipëri, në çdo sektor. Nga fluksi i lartë i turistëve në vitet e fundit, ne kemi asur rritje të IHD. Nga ana tjetër, edhe për investime që janë ekzistuese është e rëndësishme që investim i këtij standardi të vijë në vend që të vendosë një standard në ofrimin e shërbimeve. Do të sjellë disa brande ndërkombëtare të mirënjohura në sektorin e turizmit”, tha ministrja.
Paralelisht, qeveria po punon edhe për investimin në ishullin e Sazanit.
“Në Sazan kemi nisur punën për të bërë disa veprime për zhvillimin e zonës. Është një ishull që do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar, do të futet si bashkëinvestitor. Po negociojmë për përqindjen që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit, sapo të kemi një pasqyrë më të qartë, do t’i bëjmë transparente”, tha Ibrahimaj.
Brenda vitit do të jetë gati edhe një paketë e re ligjore për investimet, duke i dhënë fund kështu shtyrjes së njëpasnjëshme të afatit të ligjit për investimet strategjike.
“Brenda këtij viti do të miratojmë ligjin e ri për investimet dhe po punojmë me qëllim që të bëjmë një analizë për të gjithë vendet e BE dhe incentivat që vendet e BE kanë me qëllim nxitjen dhe tërheqjen e investimeve në vendet e tyre. Bvrenda verës do të nisim një proces konsultimesh për elementët e ligjit të ri, që do të jenë të përqendruara te siguria juridike të investitrëve, por edhe përqendriminm dhe tërhqjen e investimeve në zona të disavantazhuara”, tha ajo.
Gjatë konferencës me gazetarët, ministrja Ibrahimaj përsëriti edhe një herë indeksimin e pensioneve me 2.7%, që hyn në fuqi në datë 1 korrik. Ajo shtoi se nëse në muajt në vijim situata në tregje ndryshon dhe inflacioni rritet, qeveria do të ndërhyjë sërish në mbështetje të grupeve në nevojë.





