Temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin mendor, duke përkeqësuar gjendjen e personave që vuajnë nga ankthi dhe stresi. Sipas specialistëve, ditët e nxehta prishin ritmin normal të jetës dhe, përveç efekteve fizike, mund të shkaktojnë edhe probleme psikologjike. Psikologët në Elbasan shprehen se gjatë verës vërehet një rritje e shqetësimeve tek pacientët me ankth dhe stres.
“Një nga faktorët kryesorë është përkeqësimi i cilësisë së gjumit, i cili, i kombinuar me vështirësitë e përditshme, mund të çojë në shtim të simptomave dhe episode më të forta ankthi”, tha Eriona Hoxha, psikologe klinike.
Specialistët theksojnë se më të prekur nga ndryshimet ekstreme të temperaturave janë të moshuarit.
Edhe personat që nuk kanë probleme të diagnostikuara të shëndetit mendor mund të përjetojnë lodhje, nervozizëm apo vështirësi në përqendrim gjatë periudhave me temperatura të larta.
Për këtë arsye, specialistët rekomandojnë që çdo shqetësim i vazhdueshëm të mos neglizhohet dhe, kur është e nevojshme, të kërkohet këshilla e një profesionisti për të mbrojtur shëndetin mendor gjatë muajve të verës.





