Ndryshimi i perspektivës është sfida e re e drejtësisë. Ky ishte mesazhi që dha ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato në një konferencë që në thelb kishte marrëdhënien mes medias dhe gjyqësorit. “Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet. Institucionet nuk krijohen vetëm nga ligjet, por kërkojnë edhe ndryshim kulture, unë nuk jam i bindur ende që është arritur ky ndryshim mendësie. Duhet të mishëroni kulturën e pavarësisë së drejtësisë jo vetëm me ligje, por edhe me sjellje profesionale dhe udhëheqje morale”, tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela thotë se ndryshimi i qasjes kërkon kohë, sepse është një marrëdhënie e themeluar në vazhdimësi.
“Rikuperimi i besimit publik kërkon kohë. Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë transformimeve, aq më tepër për organet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Perceptimi publik arriti nivele rekord në 10-15 vitet e fundit dhe rikuperimi i besimit kërkon kohë të konsiderueshme”, u shpreh Olsian Çela, prokuror i Përgjithshëm.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, inkurajoi median të mos heshtë për çështjet me interes publik, por sipas disa kufijve të shëndetshëm.
“Shpesh përballemi me atë që ka filluar të quhet “gjykim paralel” ose “gjykatë publike”. Në momentin kur publikohet emri i një personi të dyshuar, kur transmetohen pamje nga arrestimi, kur komentues, analistë apo përdorues të rrjeteve sociale nxitojnë të japin verdikte, krijohet një realitet paralel me procesin gjyqësor. Dhe, në këtë realitet, perceptimi shpesh zë vendin e provës”, tha Arben Rakipi, kreu i Shkollës së Magjistraturës.
38 gjyqtarë dhe 25 prokurorë të rinj do t’i bashkohen së shpejti sistemit gjyqësor duke rritur kështu edhe numrin e magjistratëve që i mungojnë.





