Në ditën e 28 të protestës së qytetarëve, Kryeministri Edi Rama postoi disa pamje nga banjat termale të Bënjës në Përmet, jo thjesht për të hedhur poshtë akuzat në rrjetet sociale se qeveria i shkatërroi ato, por duke u përpjekur të heqë një vijë ndarëse mes rrjeteve sociale dhe realitetit.
Kryeministri deklaroi se banjat termale të Bënjës përbëjnë një prej projekteve të suksesshme të “Rilindjes Urbane”, duke folur sërish për të pavërtetat që shpërndahen nga algoritmi.
“Por ja, dy pamjet e kundërta: nga njëra anë ‘Bënja e shkretuar nga hajdutët e tradhtarët’, krijesë e djallëzisë së atyre që prej gati 1 muaji duan ta bëjnë çorap Shqipërinë, duke keqpërdorur ndjenjat, hallet, ndërgjegjen e pastër të shumëkujt që ka sot një arsye për të protestuar, dhe nga ana tjetër, Bënja e rilindur nga pikërisht vizioni, puna e pasioni ynë për Shqipërinë e pakrahasueshme me kur e nisëm këtë rrugë, flasin shumë qartë për këdo që do të shikojë, të dëgjojë, të kuptojë.”
Nisur nga rasti i banjave termale të Bënjës, kryeministri iu drejtua sërish protestuesve për t’u dhënë mesazhin që ai nuk po lufton me ta përgjatë gjithë këtij muaji.
“Kjo nuk është një luftë mes protestuesve dhe qeverisë, as një luftë mes organizatorëve e financuesve të këtij ‘revolucioni’ dhe meje, por një luftë mes Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, përmes vështirësive, punës, gabimeve, korrigjimeve, rezultateve reale, dhe një ‘Shqipërie të re’ dështakësh, si korbat e sorrat e mbledhur nga të katër anët e rrugëve të jetës rreth sheshit televiziv të protestës, të cilët lëpijnë e helmojnë çdo protestues e shqiptar të ndershëm.”
Prej fillimit të protestës, Kryeministri Edi Rama i ka mëshuar idesë se nëpërmjet rrjeteve sociale faktorë të ndryshëm po përhapin të pavërteta.
/vizionplus.tv





