Ushtria amerikane kreu sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmit të Teheranit një ditë më parë ndaj një anijeje tregtare që lundronte në këtë rrugë strategjike detare.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, avionët amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh, si edhe sisteme radarësh bregdetarë iranianë. Ushtria amerikane e cilësoi sulmin iranian ndaj anijes tregtare si një shkelje të qartë të armëpushimit.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se kishte sulmuar pozicione ushtarake amerikane në rajon, por ushtria amerikane nuk ka konfirmuar deri tani një sulm të tillë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili pati një rol kyç në negociatat për marrëveshjen e armëpushimit, reagoi ashpër:
“Irani nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit dhe ne e kemi respektuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për zbatimin e saj, mund të komunikojnë. Por dhuna do të përballet me dhunë.”
Sulmet amerikane erdhën pasi Presidenti Donald Trump e quajti sulmin iranian me dron ndaj anijes tregtare një shkelje të pamend të marrëveshjes së armëpushimit, megjithëse nuk dha sinjale nëse incidenti mund të çojë në rifillimin e një konflikti më të gjerë.
/vizionplus.tv





