Socialistët votuan kundër kërkesës së Partisë Demokratike për të zhvilluar një debat të posaçëm në Parlament së pari për kërkesat e protestuesve dhe së dyti për rezolutën e Parlamentit Europian. Gjithashtu mazhoranca ka hedhur poshtë kërkesën për interpelancë me kryeministrin Rama për kërkesat e protestuesve.
“Ne nuk mund të sillemi sikur ata qytetarë që protestojnë prej 25 apo 26 ditësh nuk ekzistojnë. Janë qytetarë shqiptarë, pavarësisht se kë kanë votuar, kanë votuar një apo dy apo tre, apo më shumë përfaqësues në atë kuvend me 140 deputetë. Mirëpo Taulant Balla dhe Edi Rama është mësuar që në Kuvend të bëjë vetëm zëdhënësin e interesave të grupeve kriminale, ku gjatë këtyre 14 viteve, në një ditë të vetme, nuk janë përpjekur të bëjnë zëdhënësin apo përcjellësin, adresuesin e shqetësimeve të qytetarëve”, tha Gazment Bardhi.
“Pranojmë gjithkënd tjetër të flasë në emër të protestës, por partinë e Sali Berishës nuk e pranoj dot kurrë si përfaqësues të protestës”, u shpreh Taulant Balla.
Sipas Ballës, nëse Partia Demokratike do që të bëjë betejë politike me protestën, le të kërkojë zyrtarisht shkarkimin e Kryeministrit Rama nëpërmjet mekanizmave që ka Kushtetuta.
“Sillni kërkesën për mocion mosbesimi, e dini që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, kur kërkon mocion mosbesimi, duhet të sjellësh edhe kandidatin për kryeministër, e sillni dot Saliun për kandidat për kryeministër?”, tha Balla.
“Aksionet e grupit të PD në kuvend nuk i sugjeron Balla, e vetmja gjë që sugjeron Balla është të miratojë ligj për ti dhënë favor Artur Shehut dhe grupeve kriminale në vend”, shtoi Bardhi.
Ndërkaq Balla hodhi poshtë një prej kërkesave të protestuesve, atë për kufizimin e mandatit të kryeministrit.
“Në asnjë republikë parlamentare s’ka kufizim mandatesh. Në rastin e tyre, kufizimin e mandateve ta bën vetëm vota e popullit, jo mandati kushtetues. Thuajini mos u lodhni kot”, theksoi Balla.
Prej 31 majit qytetarët po protestojnë çdo mbrëmje para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pak ditë më parë protestuesit publikuan një listë me kërkesa kur përfshihet krijimi i një qeverie teknike, ndryshimi i Kushtetutës, Kodit zgjedhor; anullimi i ndryshimeve në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura” dhe ndryshimet në ligjin “Për trashëgiminë Kulturore” si dhe shfuqizimi i “Paketës së Maleve” dhe ligjit “Për Investime Strategjike.”





