“Teknologjia ka bërë që fëmijët sot të mos kenë durim”. Kështu u shpreh psikologu klinik Skerdi Zahaj, i ftuar në emisionin QUO VADIS të moderatores Pranvera Borakaj.
I pyetur se si mund të ndryshohet varësia e fëmijëve ndaj celularit, Zahaj u shpreh se e rëndësishme është mësimi i fëmijëve për të përballuar mërzinë.
Sipas tij, vendosja e kufijve dhe krijimi i hapësirave pa teknologji ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë kreativitetin, durimin dhe aftësinë për t’u përballur me emocionet e tyre.
Pjesë nga biseda:
Zahaj: Teknologjia ka bërë që fëmijët sot të mos kenë durim. Një nga frazat më të shpreshta që dëgjohet është: “Më jep celularin apo tabletin sa të vijë ushqimi, çfarë do bëj unë gjatë një udhëtimi”. Duan stimulim të vazhdueshëm. Kjo ka bërë që truri i tyre të mos ketë vëmemdjen për të parë një film nga fillimi në fund.
Borakaj: Po si t’ia bëjmë ne që ta ndryshojmë këtë gjë ose të përpiqemi minimalisht?
Zahaj: Të mësosh të durosh mërzinë dhe të flasësh për mërzinë, të shkruash për mërzinë. Shumica e veprave letrare shkruhen në bazë të mërzisë dhe po të lexosh se sa vite janë dashur një shkrimtari që të shkruajë veprën letrare, shkojnë deri në 13 vite.
Borakaj: Po nëse fëmija të thotë që “ti nuk më do”, për sa kohë ti më thua që unë duhet të mësohem me mërzinë? Sepse, në qoftë se do më doje, mund të më jepje telefonin dhe unë s’do mërzitesha, për shembull.
Zahaj: Po në këtë rast është shumë e rëndësishme që t’i shpjegojmë fëmijës se dashuria dhe llastimi, apo plotësimi i çdo lloj teke janë dy gjëra krejt të ndryshme.
/vizionplus.tv





