Profesori Lush Susaj ishte i ftuar këtë të enjte në studion e QUO VADIS në Vizion Plus të moderuar nga Pranvera Borakaj.
Susaj u shpreh se si profesor, e irriton që politika përfshihet në arsim, duke nënvizuar se nëse dikush del kundër dhe paraqet problemin, shihen si armik.
Më tej, Lush Susaj u shpreh se numri i studentëve ka rënë nga viti në vit.
Ai krahasoi se dikur dilnin 100, 200 studentë agronomë në vit, ndërsa vitet e fundit 18, 20 studentë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Keni 40 vite në profesionin si agronom dhe shumë vite si pedagog. Çfarë ju irriton më shumë në sistemin arsimor?
Susaj: Unë kam folur për arsimin edhe në kohën e Berishës, edhe në kohën e Fatos Nanos. Edhe vëllai im të jetë kryeministër, unë trajtoj problemin. Këta të shohin si armik. Sindikata si në kohën e Enverit. Mua qëndresën në Shqipëri ma ka dhënë profesioni. Dhe profesionin s’ma heq askush. Unë kam ngelur në këtë punë dhe jam shumë i lumtur.
Borakaj: Si është niveli i studentëve?
Susaj: Ka rënë numri i studentëve. Nxjerrim 18-20 agronomë në vit, ndërsa më parë nxirrnim 200. Nevoja për agronom sot është më e rëndësishme se sytë e ballit. Kur kam studiuar unë, dolën 300 studentë në agronomi.





