Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, ka finalizuar procedurat e ekstradimit nga Italia drejt Shqipërisë të një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, në kuadër të operacionit “The Wanted”.
I ekstraduari është Sajmir Kolaveri, i cili akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 5 gusht 2020.
Sipas hetimeve, Kolaveri dyshohet se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të tjerë të grupit për vrasjen e një shtetasi për motive gjakmarrjeje, si dhe për fshehjen dhe transportimin e kufomës në zonën e Mamurrasit. Pas ekstradimit, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra të rënda penale, përfshirë “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje ose asgjësim kufome” dhe “armëmbajtje pa leje”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Njoftimi:
Ekstradohet nga Italia, pjesëtari i një grupi kriminal.
Ai akuzohet nga GjKKO-ja, se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e një shtetasi, më datë 05.08.2020, për gjakmarrje, dhe për fshehjen e kufomës, në Mamurras.
Në vijim të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit:
-Sajmir Kolaveri., 44 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 25.09.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se më datë 05.08.2020, shtetasi S. K. ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e shtetasit K. Ll., dhe më pas për transportimin dhe varrosjen e kufomës, në fshatin Shpërdhet, Mamurras.
/vizionplus.tv





