Policia e Shtetit ka finalizuar fazën e 95-të të operacionit të koduar “Operacionalja”, duke vënë në pranga në Kurbin një 54-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të siguruara për vendndodhjen e tij.
I arrestuari, Gjin Nikollaj, banues në Laç, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 7 vite e 2 muaj burg për veprat penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe “kanosje”.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 95”, shërbimet e DFPO-së arritën të lokalizojnë dhe të kapin shtetasin në territorin e Kurbinit, pa incidente. Pas arrestimit, ndaj tij kanë nisur procedurat për ekstradim drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykatat italiane.
/vizionplus.tv





