Një fushatë depistimi me qëllim zbulimin në faza të hershme dhe parandalimin në kohë të kancerit të qafës së mitrës do të zhvillohet gjatë periudhës qershor-gusht në dy maternitetet e Tiranës, Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” dhe Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.
“Ky është një program që ka rreth 7-vite që është aplikuar në Shqipëri i cili konsiston në vlerësimin e infeksioneve specifike të cilat mund të rezultojnë në problematika që konsistojnë në sëmundje neoplazike tek femrat dhe konkretisht është një program për depistimi e pozitivitetit të human pailloma virus i cili është një virus që lidhet drejtpërdrejtë me shkakësinë e kancerit të qafës së mitrës. Është një program që i ofrohet të gjithë grave në të gjithë Shqipërinë në shërbimin parësor shëndetësor. Pjesë e këtij programi kaq të rëndësishëm janë bërë dhe dy maternitetet e Tiranës, Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” dhe Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, të cilët ofrojnë këtë shërbim”, tha Redi Hoxhallari, mjek Obstetër – Gjinekolog.
Pjesë e këtij programi mund të bëhen të gjitha gratë e moshës 35-55 vjeç, të cilat përveç kryerjes së Pap Testit do të përfitojnë falas edhe testimin për Human Papilloma Virus.
“Në këtë program përfitojnë të gjithë femrat e moshës 35-55 vjec të cilat e kanë të nevojshme ose kanë dëshirë të vlerësojnë situatën e infeksionit nga HPV. Të gjitha pacientet që i nënshtrohen një depistimi të tillë në rastet pozitive i referohen sipas sistemit të referimit dy materniteve, mandej ndiqen në mënyrë të detajuar për diagnostikën dhe menaxhimin në varësi të situatës që ato kanë”, shtoi Hoxhallari.
Depistimi mund të kryhet jo vetëm nga gratë që shfaqin probleme gjinekologjike, por edhe nga ato që dëshirojnë të kryejnë në mënyrë vullnetare këtë kontroll parandalues për të vlerësuar gjendjen e tyre shëndetësore.
“I kemi ndarë pacientet, gratë në dy grupe. Grupi i parë është grupi i pacienteve që zbatojnë sistemin e referimit dhe vinë këtu tek ne për të kryer pap testin tradicional. Ftojmë dhe gratë të cilat për një arsye tjetër mund të paraqiten në spitalin tonë dhe në mënyrë vullnetare kërkojnë të kryejnë këtë lloj ekzaminimi”, tha mjeku.
Kjo fushatë synon të ulë rastet e kancerit të qafës së mitrës përmes diagnostikimit të hershëm.





