Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se reforma në drejtësi po hyn në një fazë të re, ku vëmendja nuk përqendrohet më vetëm te ngritja e institucioneve, por te konsolidimi i tyre përmes formimit profesional dhe etik të brezit të ri të magjistratëve.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit europian, ministri vlerësoi se konfirmimi i IBAR-it për Shqipërinë përbën një dëshmi se reformat në drejtësi kanë prodhuar rezultate konkrete.
“Po kalojmë nga një fazë e reformimit të sistemit në një fazë të konsolidimit të tij; nga ndërtimi i institucioneve tek forcimi i kulturës së tyre profesionale. Institucionet ndërtohen me ligje. Por besimi ndërtohet me njerëz. Dhe njerëzit që do të mbajnë mbi supe drejtësinë shqiptare të viteve që vijnë po formohen pikërisht këtu, në Shkollën e Magjistraturës”, tha Toni Gogu, ministër i Drejtësisë.
Ministri vlerësoi kontributin e Bashkimit Europian, të partnerëve nga Franca, Italia dhe Holanda, si dhe të vetë Shkollës së Magjistraturës në modernizimin e sistemit të trajnimit të magjistratëve. Sipas tij, suksesi i projektit nuk matet vetëm me ndryshimet procedurale apo akademike, por me ndikimin afatgjatë që ai do të ketë në cilësinë e drejtësisë shqiptare.





