Kryeministri Edi Rama ka folur sërish këtë të mërkurë për çështjen e Zvërnecit, për të cilën janë zhvilluar 3 protesta në Tiranë.
Rama e bëri të qartë që investitori do të blejë tokën e kujtdo që ka pronësi dhe e vërteton atë. Ndërsa ata që kanë thjesht pretendime, pa prova, nuk do të përfitojnë asnjë gjë.
Rama e konsideroj pozitive veprimin e SPAK, për mbajtjen të ngrira të fondeve, pa i lënë ato të kalojnë tek shitësi.
Kryeministri Edi Rama:
Unë kam dalë për një arsye tjetër që nuk ka të bëjë me mbledhjen e qeverisë, por ka të bëjë me një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë.
Ndërkohë që nga ana tjetër unë e konsideroj po ashtu shumë pozitive që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi për të cilin ka një proces hetimor. Kjo në këndvështrimin tim është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë një rezultat i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi, çdo manipulimi, çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj. Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës, do marri paratë, në rast se nuk e ka, natyrisht që paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar.
Kështu që këtu merr fund çdo lloj shqetësimi i atyre që janë pretendentë të sinqertë të pronës dhe çdokush tjetër që shfaqet si pretendent me Shqipërinë e shqiptarëve në gojë dhe me kurdisjen e duarve të tjera nga mbrapa mund të vazhdojë të shfaqet, por nuk është më problemi ynë. Nëse ka pyetje jam në dispozicion.





