Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shpallur pretencën për Samir Rosales Rodriguez, i cili sipas hetimeve kishte rolin e kimistit në laboratorin e Frakullës në Fier, ku do të realizohej ekstraktimi i kokainës.
Prokurori Adnan Xholi kërkoi dënimin e Rodriguez me 14 vjet burgim dhe informoi gjykatën se autoritetet shqiptare janë në pritje të ekstradimit të tij.
Sipas hetimeve, Rodriguez udhëtoi nga Kolumbia drejt Greqisë, më pas në Mal të Zi dhe në Shqipëri.
Detyra e tij ishte të nxirrte kokainën e përzier me pleh organik, sasia e së cilës, sipas SPAK-ut, llogaritet në rreth 480 kilogramë.
Në muajin prill, Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kërkuar 93 vjet burg për 10 të pandehurit që ranë në pranga për laboratorin e drogës në Frakull të Fierit në posedim të familjes Çervanaku.
Për Viktor Cervanakun, ish-kryetarin e komunës se Frakullës, SPAK kërkon dënimin me 16 vjet burg. Për vëllain e tij, Zenel Çervanaku, prokuroria kërkon 15 vjet, por që të dy do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar.
Djali i tij, Delinson Çervanaku së bashku me Klajdi Kodrën e Nikolin Gjolenën, ky i fundit i dyshuar si koka e grupit kriminal, duhet të vuajnë dënimin më të rëndë sipas prokurorisë, e cila kërkon 18 vjet heqje lirie.
Ndërkohë, pjesë e organizatës kriminale sipas organit hetimor ishte edhe e fejuara e Delinson Çervanakut, Enxhi Ferhati, e cila sipas SPAK meriton të dënohet me 8 vjet.





