Forcat amerikane me sukses kanë penguar disa raketa balistike iraniane dhe dronë gjatë incidenteve në mbarë Lindjen e Mesme, tha Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM).
Në deklaratat e lëshuara më 2 dhe 3 qershor, CENTCOM tha se disa raketa iraniane u lëshuan drejt fqinjëve rajonalë, por dështuan që të arrinin caqet e synuara.
Komanda amerikane raportoi se tri raketa të lëshuara drejt Bahrejnit u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe Bahrejnit, ndërkaq dy raketa që ishin nisur drejt Kuvajtit ranë gjatë fluturimit ose u shkatërruan në fluturim e sipër.
CENTCOM po ashtu tha se forcat amerikane rrëzuan tre dronë sulmues iranianë që thuhet se po shënjestronin anijet civile në ujërat rajonale. Në përgjigje, forcat amerikane kryen ato që CENTCOM i përshkroi si “sulme vetëmbrojtëse” ndaj një stacioni të kontrollit ushtarak në ishullin Keshm të Iranit, që gjendet në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda amerikane theksoi se personeli i SHBA-së nuk është lënduar dhe hodhi poshtë pretendimet e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit se selia e Flotës së 5-të të SHBA-së në Bahrejn dhe një bazë ajrore amerikane në rajon janë goditur.
Në një postim të mëvonshëm në X, CENTCOM shtoi se një valë e re e dronëve iranianë, që kishin në shënjestër forcat amerikane, u penguan në Kuvajt, pa shkaktuar dëme apo viktima.
Ndaras, ushtria e Kuvajtit raportoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po “konfrontojnë raketa armiqësore dhe sulme me dronë”, pa ofruar detaje të tjera.
Autoritetet ushtarake po ashtu u kanë bërë thirrje banorëve që të mos iu afrohen apo të prekin çdo copëz të fluturakeve të rrëzuara, predha apo objekte të paidentifikuara.
Edhe në ditët paraprake, Irani ka kryer sulme me dronë dhe raketa drejt Kuvajtit, teksa SHBA-ja ka kryer sulme “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve në Iran.
Lufta mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin ka nisur në fund të shkurtit, por që nga prilli është në fuqi një armëpushim.
Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë bisedime indirekte që synojnë zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, të cilin Irani e ka mbyllur që nga nisja e konfliktit. Mbyllja e kësaj rruge të rëndësishme ujore po pengon në mënyrë të konsiderueshme furnizimet globale me naftë dhe ka bërë që çmimet e energjisë të rriten.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 2 qershor se beson që një marrëveshje me Iranin do të arrihet javën e ardhshme./rel





