Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i pranishëm në Dibër, ku festohet 35-vjetori i themelimit të PS-së në këtë qark.
Rama tha se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë një forcë e karakterizuar nga prirja për të ndërtuar vendin dhe shtetin, ka qenë një forcë njerëzore, ndërsa kundërshtari politik ka pasur si qëllim vetëm përçarjen dhe urrejtjen.
“PS-në e ka karakterizuar gjithmonë prirja për të ndërtuar dhe gjithmonë jemi përballur me forcën e shkatërrimit të madh apo të vogël. Forcën që, kur ka pasur në dorë Shqipërinë, ka shkatërruar Shqipërinë; forcën që edhe kur i kanë rënë pantallonat, ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë apo kazanët në Tiranë.
PS-në e ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe njerëzillëkut, ndërsa ata që PS-ja i ka pasur përballë kanë qenë mishërimi i përçarjes dhe urrejtjes, në demokratë dhe komunistë, në njerëz të demokracisë dhe diktaturës. Një përçarje që u përhap deri në fshatin më të largët”, tha Rama.





