Kanë dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) anëtarët e grupit kriminal të Igli Kamberit, i cili u godit dy ditë më parë në një operacion të përbashkët mes SPAK dhe Antimafias së Barit.
Grupi i drejtuar nga Igli Kamberi akuzohet për pastrim parash të përfituara kryesisht nga trafiku i lëndëve narkotike. Gjykata e Posaçme ka verifikuar masat e sigurisë për të arrestuarit në kuadër të kësaj çështjeje, e cila po hetohet në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Trupi gjykues la në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për Edi Brahaj, Ergys Kastrati dhe Saimir Pirra, ndërsa për Dritan Buzi u konfirmua masa “arrest shtëpie”. Gjithashtu, masa e sigurisë për Lefter Nelajn u ndryshua nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.
Masat e caktuara nga GJKKO
Arrest me burg
Edi Brahaj
Ergys Kastrati
Saimir Pirra
Detyrim paraqitje
Lefter Nela
Arrest shtëpie
Nevila Kamberi
Masat e sigurisë të komunikuara në Itali
Igli Kamberi
Idajet Kurti
Bardhok Gjergji
Sokol Fusha
Dritan Buzi
Më 26 maj, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK finalizoi një operacion në bashkëpunim me Antimafien e Barit për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për pastrim të parave. Në total u lëshuan 15 masa sigurie, përfshirë 4 gra, nën masën e arrestit në shtëpi dhe detyrim paraqitje.
Goditja e grupit kriminal dhe arrestimi i dy personazheve kyç të grupit, Igli Kamberi dhe Ergys Kastrati, erdhi pas hetimeve në zbulimin e vrasjes së shtetasit italian Francesco Diviesti-t, ngjarje e ndodhur më 25 Prill të vitit 2025, në Canosa di Puglia, në jug të Italisë.
Në Shqipëri u arrestua Ergys Kastrati i njohur si “Bisha”, i cili prej 2 vitesh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, gruaja e tij Desmira Ceco dhe 2 shoferë që bënin transportin e parave të drogës.
SPAK vendosi në sekuestro pasuri të luajtshme e të paluajtshme të familjarëve e bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, figurat kryesore të grupit kriminal të goditur nga SPAK dhe Antimafia e Barit. Paratë dyshohet se e kanë burimin nga trafiku i drogës dhe dërgoheshin nga Italia në Shqipëri.
Në total u sekuestruan 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare si dhe 680.595 euro cash. Këto të fundit të kapura në Muriqan në vitin 2024, teksa po tentohej futja e tyre në Shqipëri nga Mali i Zi me automjet nga Lefter Nelaj.





