Tre persona mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë në stacionin hekurudhor të qytetit Winterthur, Zvicër.
Një prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve, autori është një 31-vjeçar zviceran, i cili u arrestua pak pas ngjarjes në të njëjtin stacion. Motivi i sulmit mbetet ende i panjohur dhe po hetohet nga policia.
Mediat lokale raportojnë se gjatë sulmit, autori dyshohet se ka thirrur disa herë “Allahu Ekber”, por autoritetet theksojnë se ende nuk është përcaktuar nëse ngjarja ka lidhje me motive terroriste.
Dëshmitarët okularë thanë se sulmi ndodhi pak para orës 08:30 të mëngjesit të së enjtes, në një kohë kur në stacion ndodheshin edhe nxënës shkolle, ndërsa mësuesja e tyre u përpoq t’i mbrojë.
Forca të shumta policore dhe emergjencash mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe zona përreth stacionit u izolua.
Tre të plagosurit janë shtetas zviceranë të moshës 28, 43 dhe 52 vjeç. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit.





