Korça dhe zona juglindore e Shqipërisë po përballen me një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj.
Në rrugët e qytetit tashmë është kthyer në një pamje të zakonshme prania e grupeve të shumta të turistëve, të cilët vlerësojnë natyrën, historinë dhe atmosferën e qytetit.
“Qëndruam një ditë në Korçë. Jemi nga Franca. Na pëlqeu shumë. Natyra është e mrekullueshme”.
“Na pëlqeu shumë, vend i bukur, i egër në disa pjesë. Është hera e parë në Shqipëri. Korça është një qytet që të mahnit me arkeologjinë dhe historinë e saj.”
“Është hera e parë në Shqipëri. Peizazhi është mahnitës. Nuk mendonim se do të kënaqeshim kaq shumë. Nuk kishim dëgjuar më parë për këtë vend, por po largohemi me vlerësime maksimale. Uroj që turizmi këtu të rritet sepse ka shumë potencial.”
Edhe guidat turistike shqiptare tregojnë se vizitorët francezë e cilësojnë shpesh Korçën si “Parisi i Vogël”, për shkak të arkitekturës dhe kulturës.
“Janë të gjithë francezë dhe po bëjnë një udhëtim njëjavor në gjithë Shqipërinë. Korça quhet ‘Parisi i Vogël’. Ata mbeten shumë të impresionuar nga qyteti.”
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar, juglindja mirëpriti më shumë se 700 mijë vizitorë, ndërsa pritshmëritë për këtë vit janë edhe më të larta.





