Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi bëri të ditur disa nga vendimet e marra në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Vendimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e misionit të një toge të Forcave të Armatosura shqiptare në Letoni deri më 31 dhjetor 2029, në kuadër të operacioneve të NATO-s, me qëllim forcimin e sigurisë së përbashkët.
Një tjetër vendim lidhet me njësimin e gradave ushtarake, duke korrigjuar disa mospërputhje të krijuara që prej vitit 2015.
Gjithashtu, u miratuan projektet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për pushtetin vendor në përballimin e fatkeqësive natyrore. Sipas ministrit, janë shpallur fituese 44 projekte, prej të cilave 26 janë infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër për pajisje dhe mjete, me një vlerë totale rreth 650 milionë lekë.
“Vendimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e misionit të shqiptarëve në Letoni. Kemi një togë e dislokuar dhe zgjatet deri më 31 dhjetor 2029. Ky vendim shërben për konsolidimin e forcave të armatosura në operacionet e NATO-s. I shërben sigurisë së përbashkët.
Vendim i dytë ka të bëjë me njësimin e gradave ushtarake, që në vitin 2015 ka pasur disa mospërputhje ë janë adresuar më këtë vendim.
E fundit lidhet me miratimin e VKM për projektet fituese nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për qeverisjen vetëvendore për përballimin e fatkeqësive natyrore. Fondi parashikon që gjithsej të jenë fituese 44 projekte, 26 infrastrukturore dhe të tjerë për blejë pajisjes e mjetesh. Vlera totale është në masën 650 mln lekë ndërsa pjesa tjetër do të financohet përgjatë 2027”, tha Ermal Nufi.
Nufi njoftoi gjithashtu se është dërguar një mision vëzhgues në Rripin e Gazës për të vlerësuar situatën në terren dhe mundësinë e vendosjes së trupave shqiptare në të ardhmen. Ai tha se Shqipëria është në diskutime me partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, lidhur me rregullat e angazhimit dhe masat e sigurisë.
Ministri theksoi se Forcat e Armatosura kanë kapacitetet dhe përgatitjen e nevojshme për çdo mision, por se vendimi përfundimtar do të varet nga kushtet dhe garancitë e sigurisë në terren.
“Kemi dërguar një mision vëzhgues në Rripin e Gazës për të parë gjendjen e situatës atje, për të vëzhguar mundësitë e vendosjen së trupave tona atje. Jemi në diskutim me të gjithë partnerët, ata amerikanë dhe të tjerë, për të kuptuar dhe për të pasur të qartë se kush janë rregullat e angazhimit, detyrat specifike dhe kush janë masat e sigurisë.
Kemi besim të plotë për Forcat tona të Armatosura dhe njësitë ushtarake. Jemi të bindur në përgatitjen e tyre ushtarake dhe në kapacitetet e tyre. Po definojmë më qartësisht se kush janë rregullat dhe siguri që trupat tonë do kenë në terren. Operacioni dhe territori është shumë delikat”, tha Nufi.





