Në nisje të sezonit turistik veror, agjencitë e punësimit në vend raportojnë rritje masive të kërkesës për punëtorë të huaj.
“Sektori i turizmit ka pasur një bum në importin e fuqisë punëtore. Normalisht, të gjithë punëdhënësit janë drejtuar tek të huajt për shkak të mungesës së fuqisë punëtore për kategori të ulëta si pastruese, sanitare, ndihmës kuzhine. Natyrisht, ata pranojnë paga më pak konkurruese se shqiptarët, pasi u mundësohet edhe akomodimi dhe ushqimi”, Arlind Kurti, Agjenci punësimi.
Edhe niveli i rrogave këtë sezon ka njohur rritje për shkak të rritjes së pagës minimale.
“Ka pasur një rritje duke qenë se këtë vit ndryshoi edhe paga minimale. Pra, nëse vitin e kaluar vinin me paga neto 500 euro, tani paga minimale është 600 euro neto, çka shoqërohet edhe me kosto të tjera. Mesatarisht, pagat e tyre arrijnë në 900-1000 euro.”
Përveç indianëve dhe filipinasve, kohët e fundit po preferohen në kuzhinat e vendit edhe punëtorë nga vende të reja.
“Importi po vazhdon nga vendet e treta. Kryesisht tani po vijnë punëtorë edhe nga Tunizia, e cila ka një preferencë për çështjen e kuzhinës, por fokusi mbetet tek filipinasit për shkak të eksperiencave të mëparshme.”
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, vetëm gjatë vitit të kaluar janë përpunuar gati 20 mijë aplikime për leje qëndrimi nga shtetas të huaj. Përveç Kosovës dhe Italisë si vendet kryesore, rritje të ndjeshme kanë shënuar vende si India, Egjipti dhe Filipinet.

/vizionplus.tv





