Në kohën kur gjithçka blihet online, edhe temat e diplomës janë vetëm një klikim larg. Në internet po shtohen çdo dite e me shumë reklamat për “tema diplome të gatshme” dhe “paketa suksesi”, me çmime nga 180 deri në 250 euro, sipas degës apo nivelit të studimeve.
Studentët, përballë afateve dhe presionit për rezultate, shpesh joshen nga këto oferta.
“Janë dhe këto faqet online që nuk e di se si i reklamojnë kaq hapur, që bëjnë tema diplome, shesin tema diplome. Kjo pastaj hy në kufijtë e tragjikomizmit. Është tragjike fakti që studenti, ka mësuar 5 vite me radhë për një 9-9.5 apo 10 dhe shkon e blen temën e diplomës”, tha Alban Zhapaj, petagog dhe ekspert arsimi.
Edhe studentët pohojnë se hasin çdo ditë faqe të tilla në rrjetet sociale, ndërsa e cilësojnë fenomenin si të padrejtë.
“Është shumë e padrejtë në radhë të parë. Po kam dëgjuar, jo ekzaktësisht te universiteti ynë, por është një fenomen që ndodh. Ka shumë faqe që shesin diploma online”.
“Mendoj se i dëmton shumë në fakt edhe studentët që lodhen shumë për të fituar me zotësi, iu ulet dhe motivimi për ti marrë me zotësi”.
“Mendoj se nuk është e drejtë që të shiten online, duhet të bëhen vetë nga student”.
“Të them të drejtën është e padrejtë, duke qenë se shumica e nxënësve vijnë edhe nga rrethet, të bësh të gjithë atë e mundim dhe pastaj të dalë kjo. Të bëj gjithë këtë mundim edhe pastaj të dalë që mund ta marr edhe me lekë, nuk më duket mirë”.
Për ekspertin e arsimit, përgjegjësia bie mbi pedagogun udhëheqës, i cili njeh kapacitetin e studentit dhe mund të dallojë lehtësisht nëse një punim është realizuar nga vetë ai apo është blerë.
“Pedagogu udhëheqës ka përgjegjësinë kryesore. Ai ka gjithë barrën e provës, është apo nuk është e saktë. Një student që bën një temë që unë e kam dhënë në leksion unë i njoh kapacitetin atij studenti, unë i njoh edhe mënyrën si artikulohet si e bën analizën, aq më tepër që këto tema që bëhen me chat duken që janë të bëra me chat”, tha Zhapaj.
Edhe pse neni 73 i ligjit për arsimin e lartë, nënvizon se universitetet përcaktojnë pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të diplomohet duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome, Zhapaj thotë se nuk përjashton mundësinë që edhe studentë me rezultate të larta të kërkojnë këto rrugë të shkurtra.





