Vdekjet nga mbidoza e drogës janë ulur me 35% gjatë qeverisjes së presidentit Donald Trump.
Këtë e bëri të ditur e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn në Konferencën për Bashkëpunimin në Luftën e Trafikimit të Paligjshëm të Drogave “Drogat Sintetike dhe Devijimi i Kanabisit në Europën Juglindore”.
“Vdekjet nga drogat sintetike në Shtetet e Bashkuara shkaktohen kryesisht nga fentanili. Që nga viti 2021, mbi një çerek milioni amerikanë kanë vdekur nga kjo drogë vdekjeprurëse.
Administrata Trump e ka përballur këtë sfidë drejtpërdrejt, duke ndërmarrë veprime vendimtare që kanë ulur vdekjet nga mbidoza me 35 për qind. Presidenti Trump u ka shpallur luftë shitësve, kontrabandistëve dhe trafikantëve të këtyre drogave të rrezikshme dhe po ndërmerr hapa agresivë për të siguruar kufijtë tanë dhe për të luftuar trafikimin e drogës”.
Fjala e plotë e Nancy VanHorn:
Gjatë dy ditëve të ardhshme ju do të diskutoni kërcënimin e opioideve sintetike. Nuk ka temë më kritike për Shtetet e Bashkuara, sesa kjo.
Këto droga janë vrasësi numër një i amerikanëve midis moshave 18 dhe 45 vjeç dhe janë lidhur me mbi 70,000 vdekje vetëm në vitin 2023.
Vdekjet nga opioidet në Shtetet e Bashkuara shkaktohen kryesisht nga fentanili. Që nga viti 2021, mbi një çerek milioni amerikanë kanë vdekur nga kjo drogë vdekjeprurëse.
Administrata Trump e ka përballur këtë sfidë drejtpërdrejt, duke ndërmarrë veprime vendimtare që kanë ulur vdekjet nga mbidoza me 35 për qind.
Presidenti Trump u ka shpallur luftë shitësve, kontrabandistëve dhe trafikantëve të këtyre drogave të rrezikshme dhe po ndërmerr hapa agresivë për të siguruar kufijtë tanë dhe për të luftuar trafikimin e drogës. Ai i përcaktoi zyrtarisht disa nga kartelet më të mëdha që prodhojnë dhe trafikojnë këto droga si organizata terroriste të huaja, sikurse ato janë.
Toleranca në të shkuarën ndaj kriminelëve të tillë është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara arritën në pikën aktuale të ballafaqimit me këto sfida të fentanilit. Presidenti Trump gjithashtu e përcaktoi fentanilin si armë të shkatërrimit në masë, duke siguruar që qeveria jonë të jetë, citoj: “e fokusuar, e bashkërenduar dhe e mobilizuar për t’u përballur me fentanilin si armë kimike vdekjeprurëse, sikurse është.”
Ai e lidhi politikën tonë tregtare me kontrollin e drogës dhe përdori një gamë të gjerë mjetesh për të detyruar vendet të sigurojnë kufijtë e tyre dhe zinxhirët e furnizimit me kimikate.
Ndërsa këto përpjekje po sjellin sukses, duhet të mbetemi vigjilentë dhe të qëndrojmë një hap përpara trafikantëve të drogës.
Realiteti i ashpër është se gjenerata e ardhshme e opioideve sintetike janë më vdekjeprurëse se fentanili, më të lira dhe më të lehta për t’u prodhuar – dhe gjenden tashmë në komunitetet tona.
Një sfidë kryesore është krijimi i bashkëpunimit të nevojshëm ndërkombëtar për të hetuar dhe arrestuar narkotrafikantët, për të lokalizuar dhe sekuestruar ngarkesat e drogës, për të ndarë analizën e përbërjeve të reja të drogës dhe për të forcuar ndihmën e ndërsjellë ligjore.
Ne i vlerësojmë përpjekjet e OSBE-së në rajon për të fuqizuar kapacitet ligjzbatuese dhe të gjyqësorit për të hetuar, ndjekur penalisht dhe për të gjykuar rastet e trafikimit dhe krimit të organizuar.
Kjo konferencë është një hap vendimtar drejt përballimit të kësaj sfide.
Këtu ju mund të ndani përvojat, të diskutoni prirjet e trafikimit që po shihni dhe të ndërtoni lidhjet e nevojshme për të çmontuar sipërmarrjen kriminale globale të këtyre drogave të rrezikshme.





