Kreu i grupit parlamentar tw PS Taulant Balla deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit europian, ndërsa theksoi se deri në fund të vitit 2027 synohet mbyllja e marrëveshjes së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla u shpreh se vetëm në muajt e fundit janë miratuar mbi 200 ligje, ku rreth 100 prej tyre lidhen drejtpërdrejt me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.
“Ne kemi hyrë në një fazë tjetër, një fazë historike. Kemi nderin të jemi përfaqësues të popullit në këtë sallë në një moment historik për Shqipërinë dhe duhet t’i përgjigjemi kësaj detyre”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, Shqipëria ndodhet brenda kalendarit të dakordësuar me institucionet europiane dhe ambicia për përmbylljen e negociatave mbështetet në protokollet dhe vlerësimet që vijnë nga Komisioni Europian dhe vendet anëtare.
Ai përcolli gjithashtu edhe qëndrimin pozitiv të qeverisë gjermane dhe kancelarit Friedrich Merz, duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë për rrugën europiane të vendit.
Në fund të fjalës së tij, Balla falënderoi deputetët që votuan rezolutën e miratuar javën e kaluar dhe bëri thirrje për bashkim politik në funksion të integrimit europian.
“Le të bëhemi bashkë për Shqipërinë tonë të përbashkët. Rroftë Shqipëria”, përfundoi ai.
Fjala e Ballës:
Vetëm, gjatë muajve të fundit, kanë kaluar më shumë se 200 ligje në Parlament. 100 prej tyre, ligje që lidhnin vetëm me legjislacionin. Kemi hyrë në një fazë tjetër, një fazë historike. Kemi nderin që të jemi përfaqësuesit e popullit në këtë sallë, në këtë moment historik për Shqipërinë. Duhet t’i përgjigjemi kësaj detyre historike që na ka rënë nderi i madh që të jemi në këtë sallë.
Nga sot, deri në dhjetor të vitit të ardhshëm 2027, duhet ta mbyllim marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Duhet të kemi të gjithë besim që mund ta arrijmë. Jemi brenda atij kalendari që kemi dakordësuar. Ambicien për ta përmbyllur këtë proces e kemi të bazuar nga protokollet që vijnë nga Komisioni dhe vendet anëtare.
Në këtë kuadër, mendoj se çdo gjë është thënë. Dua ta përcjell pozicionin e qeverisë gjermane dhe kancelarit Merz. Është një lajm i mirë.
Në frymën e kësaj rezolute që miratuam javën e kaluar, mirënjohje dhe falënderime për deputetët që e votuan. Le të bëhemi bashkë për Shqipërinë tonë të përbashkët. Rroftë Shqipëria.





